Sunday, May 10, 2015

AMIclub Wear Paradise!

HeY Lovelies,

Today I am going to blogg for an amazing purchase I made on Amiclubwear.com

I received 3 amazing pair of shoes ( Which really made my day ). Amiclub wear is one of my favorite's online stores when you can purchase amazing clothes with an affordable budget ! The thing I like most from AMICLUB is that you get what you see on pictures so there are no "surprises" like can happen with other onlinestores. When you open the box you get what you expect and an amzing product that fits even with the amount of $$ you have paid ! Beside the fact the prints of shoes are amazing , you can also find goods on Amiclub always on sale wich is a great opportunity to change your wardrobe whenever you want !

I purchased 3 models of shoes :

1.






I spent in total less than 50$ , ( free shipping inclused)
They come in 8-10 days ,so you dont have to wait an entire life to get your order! They come well packed  and after that you are read to rock it in the streets of your city !

Amiclub is a fashion community at  unexpected prices. 



Saturday, May 2, 2015

Shkrimi i j-së

-Shkrimi me j i emrave ku j-ja ndërzanore i përket temës, si edhe i fjalëve të formuara prej tyre

Shkruhen me j
  1. emrat ku j-ja ndërzanore i përket temës, si edhe fjalët e formuara prej tyre: 
    anije - anija, anijes, anijen, anijet, anijeve, anijesh, anijetar; batanije - batanija, batanijes, batanijen, batanijet, batanijeve, batanijesh; dije - dija, dijes... dijeni, dijetar, i dijshëm vetëdije; fije - fija, fijes... fijezor-e, fijezoj, fijezim, fijor-e; hije - hija, hijes... i hijshëm, hijeshi, hijesira-t, hijerëndë etj.; korije - korija, korijes etj.; krijesë, krijues; pije - pija, pijes, i pijshëm etj.; shije - shija, shijes etj.; 
    bijë - bija, bijës, bijën, bijat, bijave, bijash; fëmijë - fëmija, fëmijës, fëmijën, fëmijët, fëmijëve, fëmijësh, fëmijëri; mijë - mija, mijës etj.; nyjë - nyja, nyjës, nyjën, nyjat, nyjave, nyjash, i nyjshëm, (i, e) nyjëzuar, nyjëzim;pajë - pajime-t, pajis, pajisje, i pajisur; shkëndijë - shkëndija, shkëndijës, shkëndijim; ujë - uji, ujit... ujis, ujitje;vijë - vija, vijës... vijoj, përvijoj, vijim etj; 
    çaj - çaji, çajit, çajin; faj - faji, fajit, fajin; kallaj - kallaji, kallajit, kallajin, kallajis; lloj - lloji, llojit; maj - maji, majit, majin; skaj - skaji, skajit; vaj - vaji, vajit, vajin etj.; 
  2. emrat femërorë që dalin më zanore të theksuar përveç -i-së, në të gjitha trajtat, kur zanorja e theksuar ndiqet nga një zanore tjetër: 
    kala, kalaja, kalaje; para, paraja, paraje; be, beja, beje; ide, ideja, ideje; re, reja, reje; rrufe, rrufeja, rrufeje; e ve, e veja, së veje; gjë, gjëja, gjëje; tablo, tabloja, tabloje; dru, druja, druje; dy, dyja, dyje, të dyja etj.; 
    por: bukuri, bukuria, bukurie; cilësi, cilësia, cilësie; dashuri, dashuria, dashurie; dituri, dituria, diturie; dhi, dhia, dhie; li, lia, lie; liri, liria, lirie; ministri, ministria, ministrie; parti, partia, partie; rini, rinia, rinie; shtëpi, shtëpia, shtëpie; ushtri, ushtria, ushtrie; veti, vetia, vetie etj.; 
  3. trajtat e gjinores, të dhanores e të rrjedhores njëjës të pashquar, si edhe të emërores njëjës të shquar të emrave që dalin më -o të patheksuar: 
    balo, (i, e një) baloje, baloja; dado (i, e një) dadoje, dadoja; depo, (i, e një) depoje, depoja; kakao (i, e një) kakaoje, kakaoja; kallo, (i, e një) kalloje, kalloja; kosto, (i, e një) kostoje, kostoja; pako (i, e një) pakoje, pakoja; pallto, (i, e një) palltoje, palltoja; radio, (i, e një) radioje, radioja; teto, (i, e një) tetoje, tetoja; tifo, (i, e një) tifoje, tifoja; torno, (i, e një) tornoje, tornoja etj.; 
    po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi: 
    Bajo, Bajoja; Koço, Koçoja; Kristo, Kristoja; Misto, Mistoja; Pirro, Pirroja; Safo, Safoja; Vito, Vitoja; Kajro, Kajroja; Kongo, Kongoja etj.; 
  4. përemrat (i, e) tij, i tiji, e tija, të tijtë, të tijat, (i, e) atij, (i, e) këtij. 
    Shënim. Nuk shkruhet me -j- as në trajtën femërore, as në trajtën mashkullore pronori shumës i vetës së parë: të mitë, të miat, (shokët) e mi, (shoqet) e mia. Po kështu të tria. 
  5. trajta e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë njëjës (i), kur i prapangjitet foljes, e bashkuar me një tjetër trajtë të shkurtër përemërore ose me pjesëzën u të pësore-vetvetores: 
    tregoja shokut; hapja derën mikut; ngjitju malit; përvishju kësaj pune; largoju së keqes; afrojuni mësuesitetj.; 
  6. trajtat e vetës së parë e të tretë shumës të së tashmes së dëftores, të vetës së parë e të tretë njëjës e shumës të së tashmes së lidhores dhe të së ardhmes, si edhe trajtat e vetës së parë e të dytë njëjës të së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve që në vetën e parë njëjës të së tashmes dëftore dalin më -aj, -ej, -ëj, -ij, -oj, -uj, -yj, -iej, -uaj, -yej
    laj - lajmë, lajnë, (do të) laj, (do të) lajë, (do të) lajmë, (do të) lajnë, (do të) laja, (do të) laje, mbaj - mbajmë, mbajnë, (do të) mbaj, (do të) mbajë, (do të) mbajmë, (do të) mbajnë, (do të) mbaja, (do të) mbaje; qaj - qajmë, qajnë...; thaj - thajmë, thajnë... etj.; 
    blej - blejmë, blejnë, (do të) blej, (do të) blejë, (do të) blejmë, (do të) blejnë, (do të) blija, (do të) blije; dëfrej - dëfrejmë, dëfrejnë, (do të) dëfrej, (do të) dëfrejë, (do të) dëfrejmë, (do të) dëfrejnë, (do të) dëfreja, (do të) dëfreje etj.; 
    bëj - bëjmë, bëjnë, (do të) bëj, (do të) bëjë, (do të) bëjmë, (do të) bëjnë, (do të) bëja, (do të) bëje; 
    arrij - arrijmë, arrijnë, (do të) arrij, (do të) arrijë, (do të) arrijmë, (do të) arrijnë, (do të) arrija, (do të) arrije; fshij - fshijmë, fshijnë, (do të) fshij, (do të) fshijë, (do të) fshijmë, (do të) fshijnë, (do të) fshija, (do të) fshije;gdhij - gdhijmë, gdhijnë, (do të) gdhij, (do të) gdhijë, (do të) gdhijmë, (do të) gdhijnë, (do të) gdhija, (do të) gdhije;vij - vijmë, vijnë, (do të) vij, (do të) vijë, (do të) vijmë, (do të) vijnë, (do të) vija, (do të) vije etj.; 
    qëndroj - qëndrojmë, qëndrojnë, (do të) qëndroj, (do të) qëndrojë, (do të) qëndrojmë, (do të) qëndrojnë, (do të) qëndroja, (do të) qëndroje; punoj - punojmë, punojnë, (do të) punoj, (do të) punojë, (do të) punojmë, (do të) punojnë, (do të) punoja, (do të) punoje etj.; 
    mbruj - mbrujmë, mbrujnë, (do të) mbruj, (do të) mbrujë, (do të) mbrujmë, (do të) mbrujnë, (do të) mbruja, (do të) mbruje etj.; 
    fryj - fryjmë, fryjnë, (do të) fryj, (do të) fryjë, (do të) fryjmë, (do të) fryjnë, (do të) fryja, (do të) fryje; ndryj - ndryjmë, ndryjnë, (do të) ndryj, (do të) ndryjë, (do të) ndryjmë, (do të) ndryjnë, (do të) ndryja, (do të) ndryje etj.; 
    ndiej - ndiejmë, ndiejnë, (do të) ndiej, (do të) ndiejë, (do të) ndiejmë, (do të) ndiejnë, (do të) ndieja, (do të) ndieje; përziej - përziejmë, përziejnë, (do të) përziej, (do të) përziejë, (do të) përziejmë, (do të) përziejnë, (do të) përzieja, (do të) përzieje etj; 
    paguaj - paguajmë, paguajnë, (do të) paguaj, (do të) paguajë, (do të) paguajmë, (do të) paguajnë, (do të) paguaja, (do të) paguaje; shkruaj - shkruajmë, shkruajnë, (do të) shkruaj, (do të) shkruajë, (do të) shkruajmë, (do të) shkruajnë, (do të) shkruaja, (do të) shkruaje etj.; 
    lyej - lyejmë, lyejnë, (do të) lyej, (do të) lyejë, (do të) lyejmë, (do të) lyejnë, (do të) lyeja, (do të) lyeje; kryej - kryejmë, kryejnë, (do të) kryej, (do të) kryejë, (do të) kryejmë, (do të) kryejnë, (do të) kryeja, (do të) kryeje etj. 
    Shënim. Foljet që në vetën e parë të së tashmes dëftore dalin më zanore, si ha, fle, lë, nxë, vë, zë, di, pi, nuk shkruhen me -j as në vetën e parë e të tretë shumës të së tashmes dëftore e lidhore dhe të së ardhmes, as në vetën e parë e të dytë njëjës të së tashmes lidhore, as në urdhërore: 
    ha - (do të) hamë, (do të) hanë; të ha, të hash; ha!; 
    fle - (do të) flemë, (do të) flenë; të fle, të flesh; fli!; 
    lë - (do të) lëmë, (do të) lënë; të lë, të lësh; 
    di - (do të) dimë, (do të) dinë; të di, të dish; di! etj. 

Friday, May 1, 2015

Gjuha shqipe po pëson deformime të shumta. Lexoni disa shembuj.

Këto vitet e tranzicionit gjuha shqipe ka pësuar deformime të llojllojshme. Një “kontribut” në këtë drejtim kanë dhënë dhe japin shumë politikanë, qeveritarë e gazetarë të medias së shkruar dhe elektronike, që nuk kanë kulturë të mjaftueshme gjuhësore, për të mos folur për pamjaftueshmëri të kulturës së përgjithshme. Në këtë artikull do të mundohemi që me anë të ca shembujve të thjeshtë, të tregojmë disa nga llojet e deformimeve që hasen më shpesh. Një nga deformimet më të rëndomta është përdorimi pa nevojë e madje, disa herë edhe në mënyrë të gabuar, i një numri të madh fjalësh të huaja, të tilla si “implementim” (në vend të “zbatim”, “futje”, “vënie në jetë”), “impakt” (në vend të “ndikim”), “surprizohem” (në vend të “befasohem”), “konsideroj” (në vend të “marr parasysh”; p.sh.: “e konsideroj këtë fakt”, në vend të “e marr parasysh këtë fakt”), “anunçoj” në vend të “njoftoj” (”lajmëroj”, “kumtoj”, “shpall”, sipas rastit), “impresion” në vend të “përshtypje” (”mbresë”), “previzion” në vend të “parashikim”, “dipendohet” në vend të “varet”, “resurse” në vend të “burime”, “trend” në vend të “prirje” (p.sh.: prirjet e zhvillimit të vendit), “të detajshme” në vend të “të hollësishme”, “në mënyrë frekuente” në vend të “shpesh” (”shpeshherë”), “agravim” në vend të “rëndim” (i gjendjes, sëmundjes) etj. etj. Madje disa herë renditen njëra pas tjetrës në të njëjtën fjali fjala shqipe me të huajën përgjegjëse; p.sh. thuhet “një ndikim dhe një influencë”, apo “një përvojë dhe një eksperiencë” etj. Disa fjalë të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe shqiptohen gabim. P.sh. thuhet “martenitet” në vend të “maternitet” (amësi, lindje, shtëpi lindjeje), “infakt” apo “infrakt” në vend të “infarkt” (mbyllje e enëve të gjakut), “boljer” apo edhe “buljer” në vend të “boiler” (zierës apo ngrohës uji), “andresë” në vend të “adresë”, “ventratë” në vend të “vetratë” (”xhamllëk”), “prespektivë” në vend të “perspektivë” etj. Disa fjalë që kanë hyrë në gjuhën shqipe dhe që kanë një g të ndjekur nga një e ose i, gabimisht shkruhen me xh ose me g, në vend që të shkruhen me gj, sipas shqipes standarde. Kështu shkruhet “dixhital” në vend të “digjital” (shifror), “axhenda” në vend të “agjenda” dhe “gen” në vend të “gjen”, kur shkenca përkatëse shkruhet “gjenetika”. Ndonjë fjalë e huaj përkthehet edhe gabim. Kështu, fjala angleze “approach” shpesh përkthehet “përqasje”, që do të thotë “krahasim”, në vend të “qasje”, që në kuptimin kryesor do të thotë “mënyra si bëhet diçka; nga kapet diçka për ta bërë a për ta zgjidhur”. Disa herë fjala “avantazh” në vend që të shqipërohet “epërsi”, përkthehet gabimisht “përparësi” (që është sinonim i “prioritet”-it). Një deformim tjetër është përdorimi i një fjale në vend të një tjetre, me kuptim të afërt, por jo të njëjtë. Kështu, dëgjojmë këto kohët e fundit të thuhet e të shkruhet që “u inaugurua” (në vend të “u përurua”) busti i nënë Terezës apo ai i Lasgush Poradecit, kur ato janë shtatore (statuja). Ndodh edhe më keq, kur në një artikull gazete përdoren të dy termat për të njëjtin objekt skulpturor. Po t’u referohemi fjalorëve, busti është një skulpturë që paraqet pjesën e sipërme të trupit të njeriut që nga mesi e lart ose kokën dhe një pjesë të kraharorit dhe jo të gjithë trupin, si shtatorja. Një gabim i të njëjtit lloj bëhet në disa reklama televizive, kur flitet për lavaman (duarlarëse) dhe paraqitet lavapjatë (pjatalarëse). Shumë njerëz ngatërrojnë fjalë të afërta nga ana fonetike, por krejtësisht të ndryshme nga ana kuptimore, si: adaptoj (përshtat) dhe adoptoj (1. birësoj; 2. pranoj; p.sh., një rezolutë, një vendim etj.); stimuloj (nxit) dhe simuloj (shtirem); mëshiroj (ndjej mëshirë për dikë, i fal gabimin) dhe mishëroj (shpreh diçka në trajtë konkrete, e trupëzoj: p.sh. mishëroj në art një ide); mostër (gjedhe; p.sh.: mostër gjaku, dheu, minerali, stofi etj.) dhe monstër (përbindësh); njësoj (bashkoj në një të vetme, unifikoj) dhe njehsoj (llogarit, bëj veprime me numra); afroj (e çoj më afër, më pranë) dhe ofroj (bëj ofertë, propozoj; p.sh. ofroj një çmim, një mundësi etj. dhe jo afroj…); klimatike (që ka të bëjë me klimën; p.sh.: kushtet klimatike) dhe klimaterike (që ka klimë të mirë për shëndetin; p.sh.: vend klimaterik apo qendër klimaterike), “përshkoj” (kaloj nga njëra anë në tjetrën etj.) dhe “përshkruaj” ( paraqit me shkrim a me gojë tipare, dukuri a rrethana të ndryshme) etj. etj. Për shkak të gabimeve të tilla, disa herë bëhen përkthime të gabuara të disa fjalëve të ndonjë gjuhe të huaj. P.sh., në italisht karboni si element quhet carbonio, kurse qymyri carbone. Duke i ngatërruar këto dy fjalë, rëndom dëgjojmë në emisionet e lajmeve që të thuhet “minierë karboni”, në vend të “minierë qymyri”. Një gabim që bëhet shpesh, sidomos nga gazetarët, është që disa fjalëve të huaja, që kanë hyrë në shqip me një a dy valenca gjuhësore, u jepen edhe valenca të tjera, si në gjuhët e huaja. Përshembull, termi “argument” në gjuhën shqipe ka si kuptim kryesor “një arsyetim që përdoret për të vërtetuar ose për të kundërshtuar një mendim”, mirëpo, nën ndikimin e disa gjuhëve të tjera, në shumë emisione lajmesh thuhet që “kalojmë në një argument tjetër”, kur duhet të thuhet që “kalojmë në një temë tjetër”. Po kështu, fjala “develop” përkthehet nga anglishtja pothuajse gjithmonë “zhvillim”, kur ajo, sipas rastit e rrethanave, duhet të përkthehet edhe me disa fjalë të tjera, si “hartoj” (një program, një projekt etj.), “shtjelloj” (një temë, një mendim), “përsos” (diçka), “përhap” (një sëmundje a epidemi), “shfrytëzoj” (një minierë), “sqaroj”, “zbuloj” a “bëj të qartë” (një fakt) etj. Disa fjalëve nganjëherë u shtohen “bishta”, si, p.sh., thuhet “Yzberisht”, në vend të “Yzberish” apo “garazhd”, në vend të “garazh” (siç duket ngatërrohet garazhi me grazhdin). Fjalëve të tjera u shtohet ndonjë shkronjë në mes, si, p.sh., fjalës “zviceran” i shtohet një “i” dhe ajo shqiptohet dhe shkruhet gabimisht “zvicerian”. Në fjalë të tjera zëvendësohet një shkronjë me një tjetër (r me l, d me t, i me e, e me i, e me a, o me a, c me ç etj.). Përshembull: shkruhet e thuhet “albitër” në vend të “arbitër”, “dakort” (në akord) në vend të “dakord”, “eleminim” në vend të “eliminim”, “energjitike” në vend të “energjetike”, “dokumenta” në vend të “dokumente”, “denancim” në vend të “denoncim”, “çertifikatë” në vend të “certifikatë”, “proçes” në vend të “proces”, “koefiçient” në vend të “koeficient”, “difekt” në vend të “defekt” (d-efekt) etj. Te mjaft emra njerëzish i-ja zëvendësohet me j, si, p.sh., shkruhet “Arjan” në vend të “Arian”, “Marjana” në vend të “Mariana” etj. Gabime të shumta bëhen në lidhje me gjinitë e emrave. Dihet se disa klasa emrash mashkullorë e ndërrojnë gjininë në shumës dhe që përcaktorët (mbiemrat dhe përemrat) që i shoqërojnë, në shumës vihen në gjininë femërore. Emra të tillë janë ata që e bëjnë shumësin me prapashtesat “e” dhe “ra”. Mirëpo shpesh dëgjojmë, p.sh., që të thuhet “talente të rinj”, “shkrime të tjerë”, “personazhe publikë”, “shira të rrëmbyeshëm”, “këta tre male të lartë”, në vend të “talente të reja”, “shkrime të tjera”, “personazhe publike”, “shira të rrëmbyeshme”, “këto tri male të larta”, përkatësisht. Nga ana tjetër, u ndërrohet në mënyrë të gabuar gjinia përcaktorëve të disa emrave mashkullorë që nuk përfshihen në dy klasat e më sipërme. Kështu, thuhet “këto tituj”, “ato burra”, “këto politikanë”, “lekë të reja”, “objektiva të qarta” etj., kur duhet të thuhet “këta tituj”, “ata burra”, “këta politikanë”, “lekë të rinj”, “objektiva të qartë”. Një gabim i ngjashëm bëhet me fjalën “element”, e cila shumësin zakonisht e bën me “e”, me përjashtim të rasteve kur flitet për njerëz, në të cilat e bën me “ë”. Pra, duhet të thuhet, p.sh., që “janë kapur disa elementë të rrezikshëm kriminalë”, por, nga ana tjetër, që “karboni dhe squfuri janë elemente kimike”. Mirëpo rëndom vihen re përdorime të gabuara, madje edhe të përcaktorëve që e shoqërojnë emrin element në shumës (p.sh., “këto” në vend të “këta” e ansasjelltas). Shmangie në lidhje me gjininë vërehet edhe në përdorimin e përemrin pronor “ynë”, që shoqëron emrat e gjinisë mashkullore. Ai pothuajse është hequr nga përdorimi, ngaqë shumica e njerëzve thonë “populli jonë”, “vendi jonë”, në vend të “populli ynë”, “vendi ynë” etj. Gabime bëhen edhe me përdorimin e ndajfoljes “sepse”. Rëndom përdoret togfjalëshi “për arsye sepse”, kur duhet thënë “për arsye se”, togfjalësh që është i barabartë me “sepse”. Pra duhet thënë, p.sh., “nuk erdha sepse…” ose, që është njësoj, “nuk erdha për arsye se…” dhe jo “nuk erdha për arsye sepse…”. Po kështu, nuk duhet përdorur togfjalëshi “për faktin sepse”, po ai “për faktin se”. Me ndajfoljen “sepse” rëndom bëhet edhe një gabim tjetër. P.sh., për të lajmëruar mosardhjen thuhet: “ju njoftoj sepse nuk do të vij”, kur duhet thënë: “ju njoftoj se nuk do të vij”. Shpesh herë vihet re një përdorim i gabuar i apostrofit në trajtat e shkurtra të përbëra të përemrave. Kështu, shkruhen gabimisht pa apostrof “t’i” dhe “t’u” (t’i them atij, t’u them atyre) dhe po gabimisht shkruhen me apostrof “ma” dhe “ta” (ma dhe, ta dhashë). Në shkrimin e trajtave të shkurtra të përbëra të vetës së tretë bëhet një gabim tjetër: në vend të i-së përdoret j-ja ose kjo shtohet. P.sh., shkruhet “ja dhashë”, në vend të “ia dhashë” (atij), “jua dhashë”, në vend të “ua dhashë” (atyre) etj. Parregullsi vërehet edhe në përdorimin e përemrit “kush”, i cili duhet të përdoret vetëm për njerëz e jo për sende, i pa shoqëruar me emra dhe vetëm në numrin njëjës. P.sh., duhet pyetur “kush e shkroi?”, duke kuptuar një njeri dhe jo “kush gazetë e shkroi”, po “cila gazetë e shkroi”; duhet shkruar “cili faktor ndikoi” dhe jo “kush faktor ndikoi” etj. Ngatërrohen në të shkruar dhe numrat arabë (1,2,3..) dhe romakë (I,II,III…). Numrat arabë duhen shkruar me nyje të përparme dhe me mbaresë, kurse numrat romakë pa to, (p.sh.: Kreu i 2-të ose Kreu II), mirëpo nganjëherë ndeshim që të shkruhet: Kreu i II-të ose Kreu i II etj. Te deformimet që i bëhen gjuhës shqipe mund të ndalet gjatë, pasi ato janë të shumta dhe janë vënë në dukje në mjaft shkrime nga specialistët e gjuhës. Fakti që deformimet bëhen me shumicë edhe nga njerëzit publikë, që supozohet të kenë një nivel të lartë kulturor, tregon se kultura gjuhësore te ne është përgjithësisht e nivelit të ulët, gjë që kërkon vëmendje dhe masa nga ana e organeve dhe e institucioneve përkatëse, duke filluar nga ato arsimore. Nga ana tjetër, edhe vetë personat publikë (dhe jo vetëm këta), sidomos gazetarët, duhet të bëjnë përpjekje vetjake për rritjen e kulturës së tyre gjuhësore, duke e quajtur atë si pjesë përbërëse të kulturës profesionale. Në këtë mes nuk duhet harruar që gjuha është një nga tiparet themelore të identitetit kombëtar."
Pajtim Betja