Nga emrat femërorë më -ë, shkruhen në shumës:
a) me mbaresën -a emra si:
ara-t, arra-t, arka-t, banka-t, banja-t, barka-t, biseda-t,
bisha-t, detyra-t, fara-t, faza-t, forma-t, fusha-t, fytyra-t,
kazma-t, kërpudha-t, kisha-t, klasa-t, lopata-t, maja-t,
mënyra-t, mynxyra-t, napa-t, natyra-t, nevoja-t, nyja-t,
pëlhura-t, pisha-t, pulpa-t, qafa-t, rroba-t, shembëlltyra-t,
shtëllunga-t, toka-t, thika-t, veta-t, vlera-t;
b) me -ë, ashtu si në njëjës, emra si:
anë-t, buthë-t, bjeshkë-t, dallgë-t, degë-t, fletë-t,
gojë-t, gozhdë-t, gjurmë-t, gjymtyrë-t, jetë-t, këmishë-t,
kofshë-t, lëpjetë-t, llërë-t, mollë-t, pjesë-t, pjeshkë-t,
rrugë-t, strehë-t, shegë-t, udhë-t.
Shënim. Sipas kuptimeve me të cilat përdoren, një numër emrash shkruhen me dy trajta shumësi:
brinjë: brinjë-t (brinjët e trupit),
brinja-t (në ato kodra, në ato brinja);
copë: copë-t (pesë mijë copë tulla), copat (dy copa bukë);
grykë: grykë-t (më dhembin grykët), gryka-t (grykat e maleve);
kokë: kokë-t (dhjetë kokë dhen), kokat (kokat e qepëve);
lëkurë: lëkurë-t (përpunimi i lëkurëve), lëkura-t (lëkurat e pemëve);
pikë: pikë-t (fitoi pesë pikë), pika-t (pikat e shiut).
Trajta e pashquar e emërores së shumësit të emrave femërorë më -i, -e, -a ose -o të theksuar, si edhe më -e, -o të patheksuar, shkruhet njësoj si ajo e njëjësit:
një hardhi, - shumë hardhi, një qershi, - shumë qershi,
një shtëpi - shumë shtëpi, një tepsi, - shumë tepsi;
një ide - shumë ide, një rrëke - shumë rrëke,
një rrufe - shumë rrufe; një bela - shumë bela,
një kala - shumë kala, një shaka - shumë shaka;
një byro - shumë byro, një tablo - shumë tablo * etj.;
* ) Për disa nga emrat e tipave të mësipërm, për qëllime të caktuara stilistike-shprehëse ose me ngjyrime të veçanta kuptimore, përdoret në gjuhën letrare edhe shumësi me -ra:
çudira, gostira, kusira, marrëzira, mrekullira, tepsira, trimërira;
idera; belara, shakara etj.
një anije - shumë anije, një lule - shumë lule,
një perde - shumë perde, një shishe - shumë shishe;
një depo - shumë depo, një pako - shumë pako,
një pallto - shumë pallto, një triko - shumë triko etj.
Nga emrat dhe mbiemrat mashkullorë më -al, -an, -ar, -ec, -el, -er, -et, -ez, -il, -ir, -ol, -on, oz, -un, që zakonisht e kanë shumësin më -ë:
gjeneralë, kuintalë; aeroplanë, partizanë; fshatarë, hambarë,
përparimtarë; guralecë, memecë; dembelë, kriminelë; berberë,
fenerë; atletë, planetë; borgjezë, kinezë; civilë, katilë, kopilë;
ilirë, zinxhirë; gogolë, kaqolë; bidonë, kampionë; bajlozë,
marangozë; majmunë, pirunë etj.,
Shkruhen në shumës:
a) me -a emrat:
karkaleca, kastraveca, keca, speca; bela, çengela,
gjela, tegela, tela; breza; automobila, bilbila, fitila,
kandila, karafila, trëndafila; sokola, stola; gramafona,
magnetofona, mikrofona, telefona; kavanoza, mitraloza, rrogoza; çuna;
b) me -e emrat:
festivale, hidrocentrale, ideale, kanale, korale, kristale,
lokale, male, materiale, minerale etj.;
duhane, dyqane, oqeane, organe, plane, tavane,
vullkane; pazare, seminare, thesare, visare etj.;
kotece; akuarele, duele, hotele, kapitele, pastele, tunele,
zabele; dikastere, kantiere, karaktere, mermere, mindere,
mistere etj. ;
fakultete, marifete, personalitete, qytete, shporete, shtete etj.;
qymeze, sofrabeze; idile; hire, manastire, panaire; ciklone,
elektrone, frone, hone, hormone, kampione (mostër), kanione,
protone, shabllone, zakone etj.; kanune.
Shënim 1. Emrat më -ac, -aç, -af, -ak, -ap, -aq, -ash, -eç, -ek, -en, -esh, -ik, -in, -ist, -jan, -jot, -ok, -or, -osh, -ot, -tar, -tor, -uk shkruhen në shumës rregullisht me -ë:
kupacë, përtacë; gungaçë, gjembaçë (por ilaçe); fotografë,
paragrafë; kapakë, rosakë; dollapë, mesapë-t; hutaqë, shkatarraqë;
gjumashë, larashë; gjyveçë, kryeneçë; dyshekë, mjekë;
hostenë, kaptienë (por bedena, liqene); arbëreshë, kaleshë
(por rrebeshe); ibrikë, kreshnikë; latinë, pinguinë; artistë, komunistë;
lumjanë, matjanë; himarjotë, suljotë; patokë, shokë;
doktorë, fjalorë; kataroshë, trimoshë; patriotë; luftëtarë,
shkrimtarë; punëtorë, traktorë; bishtukë, kopukë etj.
Shënim 2. Emrat më -ant, -at, -az, -ent, -id, -it; -ont shkruhen në shumës me -ë, kur shënojnë frymorë, dhe me -e, kur nuk shënojnë frymorë:
aspirantë, elefantë, laborantë, kursantë etj.; argatë, delegatë,
diplomatë, kroatë, labeatë-t, mecenatë, vlonjatë etj.; matrapazë,
xhambazë etj.; asistentë, docentë, elementë, klientë,
studentë etj.; heraklidë-t, invalidë etj.; gjirokastritë, komitë,
petritë, semitë-t etj.; kontë, rinoqerontë etj.;
brilante, diamante, restorante, variante etj.; agregate, aparate,
atentate, fosfate, kampionate, kombinate, pallate, silikate,
shpate etj.; kafaze, pullaze etj.; aksidente, amendamente,
argumente, bazamente, dokumente, eksperimente, elemente (kimike),
fermente, fragmente, instrumente, kontinente etj.; hibride,
metaloide, okside, romboide etj.; boksite, deficite, fosforite,
grafite, pirite, suficite etj. (por shirita); fronte, horizonte etj.
Shënim 3. Emrat më -azh, -ezh, -ëm, -im, -ion, -(i)um, -ozh, -us shkruhen në shumës me -e:
aliazhe, ambalazhe, grupazhe, homazhe, plazhe, silazhe,
shantazhe; kortezhe; ansamble (ansambël), cikle (cikël); botime,
kërkime, punime, vendime; divizione, dominione, embrione,
komisione, leksione, pozicione, profesione, tubacione; elozhe;
albume, forume, kostume, presidiume, simpoziume,
stadiume; puse, viruse etj.
Shënim 4. Shkruhen në shumës me -a emrat: bërryla, cepa, gjyma, mana, qilima, tipa, xhepa;
me -e emrat: djepe, kallëpe, kryqe, mikrobe, probleme, rafte, zarfe.
Emrat mashkullorë më -ës, -ues e -yes e kanë trajtën e shumësit njësoj si të njëjësit:
blerës, grykës, hamës, mbledhës, nxënës, qitës,
vendës, zgjedhës etj., por çelësat;
kallëzues, mësues, sulmues, tregues etj.;
hekurkthyes, përkthyes, udhërrëfyes etj.
Mbiemrat, të cilët përcaktojnë emrat mashkullorë me shumësin më -e, në numrin shumës përdoren në trajtën e gjinisë femërore:
dete të thella, drejtime të reja, elementet kimike,
kanale vaditëse, katunde malore, kënde të ngushta,
kopshte të lulëzuara, kujtimet e mia,
këto kushte më duken të papranueshme,
këto lajme s'më duken të besueshme,
lëngjet tretëse, ato livadhe të gjelbra,
malet tona të larta, metale të rralla, minerale të dobishme,
personalitete të shquara, përparime të dukshme,
të gjitha qytetet e mëdha, ritme të shpejta, sende të gjetura,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
shtigje të ngushta, tipare themelore, tregime humoristike,
ushtrime gjuhësore, vende liridashëse, vendet tona,
vendime të prera, këto vendime janë të drejta,
veprime luftarake, zakonet i kanë shumë të afërta etj.
Mbiemrat që përcaktojnë emrat mashkullorë e asnjanës, të cilët e formojnë shumësin me mbaresën -ra, në numrin shumës përdoren në trajtën e gjinisë femërore:
djathëra të mira, drithërat e sivjetme, fshatra të elektrifikuara,
leshra të dredhura, mallra të jashtme,
mishra të pjekura, ujëra të ftohta * etj.
* ) Të mos ngatërrohet kjo kategori me emrat që në emëroren e pashquar të njëjësit dalin me temë më -r dhe që e formojnë shumësin me mbaresën -a; mbiemrat që i përcaktojnë këta emra, përdoren në trajtën e gjinisë mashkullore:
emra të përveçëm, hekura të ndryshkur, mbiemra të nyjshëm, regjistra themeltarë etj.
Shumësi i emrave më -llëk shkruhet me fundoren -qe:
axhamillëqe, budallallëqe, matrapazllëqe,
pazarllëqe, çilimillëqe, gomarllëqe, etj.
No comments:
Post a Comment