Sunday, April 26, 2015

PIKËÇUDITJA (!)

Pikëçuditja shënon përfundimin e një fjalie të mëvetësishme a të një periudhe që shqiptohet me infamacion thirrmor.
§ 32. Pikëçuditja vihet në fund të një fjalie dëftore-thirrmore a të një periudhe me fjali të tilla:
Po sa kujtime të ëmbla e të bukura ia pushtuan mendjen e zemrën atë çast Zanës!
Më paske zgjidhur një problem të madh! - foli ai i kënaqur.
Ehu, kushedi ku e ka mendjen!
Ndonjeherë Rrapoja nxehej: — «S'kuptoni gjë fare nga taktika? Pykë jeni!»
Ç'fushë e bukur!
Sonte, më në fund, edhe unë do të ngre një dolli dhe do të pi një gotë!
§ 33. Vihet pikëçuditje në fund të një fjalie dëshirore-thirrmore e nxitëse-thirrmore, si edhe në fund të një periudhe me fjali të tilla: Qofshi me shëndet e mirupafshim! Ah, kur s'erdhe një gjysmë ore më parë! Asnjë të mos luajë nga vendi! — urdhëroi Skënderbeu. Nisuni, djem, shpejt! — thirri me sa zë kishte. Shko dhe marr makinën! — i tha Teuta Petritit. Mos! — i tha me zë të ulët. § 34. Vihet pikëçuditje në fund të një periudhe me nënrenditje që ka si fjali kryesore një fjali me karakter thirrmor qoftë ajo dëftore, dëshirore ose nxitëse. Sa mirë bëtë që erdhët! — tha Gjergji. Të lumshin këmbët që na urdhërove në shtëpi! § 35. Vihet pikëçuditje në fund të një periudhe që mbaron me një fjali me karakter thirrmor:
Ajo është e fortë, që rroftë sa malet!
§ 36. Në fund të një fjalie të mëvetësishme pyetëse retorike, të një fjalie tjetër pyetëse thirrmore e të një periudhe të përbërë prej fjalish të tilla të bashkuara pa lidhëza a me lidhëza bashkërenditëse pas pikëpyetjes vihet edhe një pikëçuditje (shih edhe § 31):
E ku mund të mbajë ajo gjith atë valixhe?! — tha ai.
Po ku humbët kështu, more djem?! — i qortoi gjyshja.
Vallë, asnjëra s'kishte dalë për ta parë? ! As e ëma? ! As e motra?!
Edhe ti je zemëruar me mua?! — e pyeti ai me çudi, duke vënë buzën në gaz.
Si?! — thirri ajo. Ti je babai i Gjeraqinës?!
Kush e njohu dhe nuk u mahnit nga mendjemprehtësia dhe njohuritë e tij të gjera?!
Përdoret ky pikësim edhe në fund të një periudhe që ka si fjali kryesore një fjali pyetëse retorike a një fjali tjetër pyetëse thirrmore.
E ku ka gjë më të lartë se të vdesësh për lirine?!
Si nuk e ngushëlluam Mitin? !
Shënim. Për të vënë në dukje më shumë karakterin thirrmor të fjalisë a të periudhës pyetëse, përdoret ndonjëherë pikëçuditja e ndjekur nga pikëpyetja:
Dhe ai më thotë, i habitur: «Pse e ndaluar është!? Nuk e dimë.»
Po kështu?! Ç'është nevoja që ta bëjmë ne, ka dhe të tjerë!?
Po ti ç'më rri shtrirë ashtu!? Ngreu, se s'të shoh dot.
Kur karakteri thirrmor është mjaft i theksuar, zotërues, përdoret vetëm pikëçuditja; ky është pikësimi më i dendur.
Oh, moj Lela! Ku të shkon mendja edhe ty!
Pupu, moj vajzë, si flet kështu!
Kush s'u çudit!
Ku nuk i ka shkelur këmba Gencit!
E kush matet me rininë, që ecën përpara pa pyetur !
§ 37. Vihet gjithnjë pikëçuditje pas një thirrori ose një pasthirrme të përdorur më vete, shpeshherë edhe pas një thirrori a pathirrme në krye të një fjalie të mëvetësishme a të një periudhe, kur dalin disi të shkëputura prej saj, për tu vënë në dukje më shumë, për t'u theksuar më shumë:
a) Dikush thirri: Lumtë! Lumtë!
Bobo! - thamë ne.
Tyt! - shfryu plaka.
b) Ou! I paskemi rënë shkurt fare!
Shënim. Pasthirrmat e përsëritura mund të marrin në fund pikëçuditje e të ndahen nga njera-tjetra me presje ose mund të vihet pikeçuditja pas secilës pasthirrmë për ta theksuar me shumë atë:
Ej, ej, ej! —- ia bëri kryetari me qesëndi.
Uf, uf! ç'të them unë e gjora!
Ahaha! Ahaha! I zunë.
Bre! Bre! Bre! — habitej një fshatar i kaluar nga mosha.
§ 38. Vihet pikëçuditje edhe pas një onomatopeje që përdoret më vete:
Gaaa! - buçiti amfiteatri.
Pam! Pam! Pam! - ushtoi arma e tij
Ha-ha-ha! — qeshi ai me të madhe.
Era vërtitej dhe ulërinte: - Vuu! Vuuu!
Kuh-kuh! - u kollit plaka.
Onomatopeja shoqërohet me pikëçuditje edhe kur është në fund të fjalisë a të periudhës, po jo kur është në mes të saj:
Kënga e qyqes kumbonte kobshëm lugjeve: kuku, kuku!
U mata ta qëlloja, po pësht ia bëri dhe mori buzën e përroit.
S'di si i rrëshqiti këmba e bëlldumb brenda në det.
Çupëzat qeshën hu-hu-hu dhe u turpëruan.
Sa merrja veten, bam një gjë tjetër.
§ 39. Vihet pikëçuditje në fund të një fjale (a të disa fjalëve), të 
një fjalie a të një periudhe të ndërkallur me karakter thirrmor të vënë në kllapa:
Të më falin shokët (dhe shoqet, domosdo!) që po e nis me të tilla fjalë bisedën.
Në atë dhomë une pashë dy shtretër (po ç'krevate e ç'shtresa!), të cilët zinin tërë dhomën.
Dua t'ju flas me përshtypjet e një plaku, siç jam une (plak nga mosha, por i ri nga zemra, të kuptohemi), për një ngjaje që e kam jetuar vetë.
Ajo (e djegtë zjarri!) na paska pasur një pasqyrë që i shikonte të gjitha.
§ 40. Në dialog mund të përdoret pikeçuditja në vend të fjalëve të një bashkëbiseduesi për të dhënë çudinë a një ndjenjë tjetër të shprehur me anë të mimikës; në raste të tilla mund të përdoret ajo edhe e shoqëruar me pikëpyetje për të shprehur njëkohësisht si qëndrimin pyetës, ashtu dhe ndonjë ndjenjë:
- Eja të shkojmë.
- Ku?
- Atje!
- ...!
- Te i plagosuri.
- Si, si the? Pa përsërite edhe një here. - Le të qëllojë i pari. - ?!
§ 41. Pikëçuditja, ndonjëherë pikëpyetja e shoqëruar nga pikëçuditja, më rrallë pikëçuditja e ndjekur nga pikëpyetja, e vendosur në kllapa, përdoret për të shfaqur dyshimin për vërtetësinë e thënies a për saktësinë e fjalës pranë se cilës vihet, ironinë dhe mosmiratimin; kurse në citimet për të vënë në dukje karakterin e gabuar të një mendimi a të një mënyre të shprehuri (në këtë rastin e fundit mund të përdoret edhe fjala latine "sic!" "posi!" e shoqëruar me pikëçuditje):
Ai u kthye në Shqipëri dhe dikush e krahasoi me «rilindasit», pavarësisht se ai diku merr "rroga" të majme për të kryer disa shërbime, por njerëzit, nga fjalët e bukura që lëshon, mendojnë se këta janë ata që do të bëjnë ndryshime (!).
Ky autor e ngre lart guximin e "bashkatdhetarit energjik" të tij për këtë udhëtim që e kishte ndërmarrë "duke vëne kokën në torbë" (?!).
Vetëm në ndikimin e formalizmit mund të shkruheshin të tillë përrenj fjalësh pa kuptim, të lejohej një zhvleftësim, inflacion i tillë i fjalës. Letërsisë sonë, - thotë një kritik, - i mungon gnoseologjia dhe elementi akseologjik (!?).
Përfaqësuesi i Anglisë kërkoi që kjo masë të përkrahej me një tjetër, me nisjen e një kontingjenti prej 500 ushtarësh, nga trupat ndërkombëtare të ndodhura në Shkodër, "që do të delnin në Tiranë për t'i prerë Esatit rrugën e arratisjes nëpër mal" (sic!).
Komisioni vështronte shtëpinë... Në oxhak digjeshin kërçype (!) lisi. Dy kandila tymosnin varur në mur.
§ 42. Për të vënë në dukje karakterin thirrmor të theksuar të një fjalie a të një periudhe, mund të përdoren edhe dy ose më shumë pikëçuditje:
Hima vuri buzën në gaz me hidhërim duke thënë me vete: Ah, sikur të ndodhte kështu!! Sikur të ishte e vërtetë!!
Ç'komedi!!
Mosmarrëveshje të vogla ekzistojnë !!!
Pikëçuditja mund të përdoret e përsëritur edhe në kllapa për të shfaqur mosmiratim, ironi etj. ndaj një thënieje.
«Disa ambasada, - shkruan një gazetar, - i japin gjithnjë e më me vështirësi vizat e hyrjes për në shtetet e tyre, siç shprehen ato, që të kenë siguri përzgjedhin (!!) njerëzit që të jenë të sigurtë se do të kthehen mbrapsht».
Shënim. Në të tilla raste, ndonjëherë pikëçuditja nuk vendoset në kllapa :
Kur panë pushtuesit naziste se nuk e shkatërruan dot Frontin Nacionalçlirimtar, kërkuan marrëveshje për armëpushim!! UNÇl nuk duhej të godiste gjermanët, por mund të luftonte «Ballin», zogistët dhe kë të donte !!

No comments:

Post a Comment