Apostrofi përdoret në këto raste:
Për të shënuar rënien e -ë-së fundore te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë më dhe të, te pjesëza të e mënyrës lidhore, e kohës së ardhshme të dëftores si edhe te ndërtimet e ndryshme me pjesore (për të, me të, një të + pjesore) përpara trajtave të shkurtra të përemrave vetorë i, u, përpara trajtave të shkurtra përemërore ia, iu, ju, jua, ua, si edhe përpara pjesëzës u të trajtave pësore-vetvetore të foljeve.
Kështu shkruhen:
m'i dha; t'i dha; t'i shkruash shokut; t'i zbatosh rregullat; do t'i tregoja; do t'i them, për t'i pasur parasysh; me t'i thënë, u nis etj.;
të m'u bësh të fala; do t'u thuash; do t'u kisha thënë; do t'u përgjigjem; për t'u dhënë librat; me t'u dalë përpara; një t'u thënë, u ndalën etj.;
të m'ia numërosh një nga një; t'ia thuash; do t'ia tregoja; do t'ia njoftoj; për t'ia dalë në krye; me t'ia treguar; të mos m'ia prishni qejfin;
për t'iu përgjigjur thirrjes; me t'iu afruar, e njohu etj.;
duam t'ju nderojmë; do t'ju kishim ftuar; do t'ju lajmërojmë; do t'ju lutesha; për t'ju ndihmuar; me t'ju njoftuar, nisuni etj.;
duam t'jua shpjegojmë juve; do t'jua kisha treguar; do t'jua di për nder; për t'jua lehtësuar punën juve; me t'jua sjellë veglat, filloni! etj.;
të mos m'ua prishni qejfin; s'u pëlqen t'ua kujtojmë; do t'ua kisha sjellë; do t'ua tregoj shokëve; për t'ua bërë të qartë nxënësve; me t'ua dhënë lajmin, u nisën etj.;
nuk m'u dha; m'u bë zemra mal; në m'u dhëntë rasti etj.;
si t'u duk?; mos t'u ndaftë e mira!; t'u bëftë pushka top! etj.
Shënim. Shkruhen pa apostrof trajtat përemërore ma, ta, ku nuk kemi një rënie të ë-së, por një shkrirje dy zanoresh (më + e = ma; të + e = ta):
ma dha librin; s'ma jepte; ma jep; jepma; për të ma treguar; duke ma treguar; me të ma treguar; pa ma thënë; një të ma kujtuar etj.
Pas pjesëzës mohuese s dhe pas përemrit ç:
s'arrin; s'erdhi; s'e di; s'është; s'i tha; s'u përgjegj; s'bëri; s'duhet; s'presim; s'thuhet; s'mundem etj.; ç'e do?; ç'është?; ç'i the?; ç'do?; ç'kërkon?; ç'të dojë?; ç'kohë e bukur!; ç'zë i ëmbël!; e dimë se ç'qëllim ka; s'na tha se ç'kërkonte etj.
Shënim. Shkruhen pa apostrof përemri i pakufishëm çdo dhe përemri pyetës çfarë, si edhe fjalët e formuara prej tyre: çdo nxënës; çfarë do prej meje?; nuk kuptoj çfarë thua? etj.; çfarëdo, çdonjëri, çdokush.
Për të shënuar rënien e -ë-së tek nyjat e përparme të, së me kuptim pronor në rasat e zhdrejta të emrave i ati, e ëma:
(i, e) t'et, (i, e) s'ëmës, me t'ëmën.
No comments:
Post a Comment