Sunday, April 26, 2015

SHKRIMI I DISA PJESËZAVE DHE PARAFJALËVE

Trajtat foljore që formohen me do të shkruhen zakonisht të plota:
do të shkoj, do të shkoja, do të kem shkuar, do të kisha shkuar etj.
Pjesëza të, që vihet përpara lidhores ose përpara pjesores, shkruhet rregullisht në të gjitha rastet e përsëritjes së trajtave foljore përkatëse bashkë me parafjalët që mund të ketë përpara (për, me):
për të studjuar, për të kuptuar dhe për të zbatuar drejt udhëzimet;
me të arritur e me të parë gjendjen, ai mori masa etj.
(dhe jo: me të arritur e parë gjendjen, ai mori masa etj.).
Pjesëza duke e përcjellores shkruhet në të gjitha rastet e përsëritjes së kësaj trajte foljore; në raste mohimi, bashkë me të përsëritet dhe pjesëza mos:
ata shkonin duke kënduar e duke brohoritur;
duke parë e duke bërë;
duke mos njohur e duke mos marrë parasysh rrethanat etj.
Pjesëza pa përpara pjesores shkruhet rregullisht në të gjitha rastet e përsëritjes së kësaj trajte foljore:
pa u lodhur e pa u përpjekur nuk bëhet gjë;
pa studiuar, pa punuar e pa u përpjekur, nuk arrin lart;
Parafjalët në, te (tek), me, nga, prej e të tjera si këto zakonisht përsëriten në shkrim, sa herë që bashkërenditen dy a më shumë emra a përemra, me të cilët ato lidhen:
në pranverë, në verë, në vjeshtë e në dimër etj.;
te ilirët, te trakasit e te popujt e tjerë etj.;
me të ngrënë e me të pirë; me hekur e me zjarr; me mish e me shpirt; me thonj e me dhëmbë etj.;
nga Elbasani, nga Gjirokastra e nga Vlora etj.;
prej Himare e prej Mirdite;
as në sjelljet, as në fytyrën e tij nuk vërehej shenjë tronditjeje;
nga shtati, nga dituria, nga fjala nuk kishte shok etj.
Këto parafjalë mund të mos përsëriten për arsye të caktuara kuptimore ose stilistike:
në fshatra e qytete; me shokë e shoqe;
u nisën pushuesit nga Shkodra, Tirana, Berati e Korça drejt Durrësit e Vlorës;
shkolla jonë kërkon nga mësuesit e pedagogët një stil të ri pune etj.



No comments:

Post a Comment