Friday, April 24, 2015

Si shkruhen fjalët që nisin me sh, zh dhe ç?

Fjalët me sh/zh/ç nistore shkruhen kështu:

a) me sh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët (f, k, p, q, t, th etj.):

shfajësoj, shfaq, shfaqje, shfaros, shfryj, shfrytëzoj, shkallmoj, shkarkoj, shkatërroj, shkëlqej, shkëmbej, shkëput, shkomëtarizoj, shkoq, shkreh, shkrep, shkrij, shpalos, shpallje, shpërblim, shpërdorim, shpërndaj, shpif, shpoj, shtjelloj, shthur etj.

b) me zh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme (b, d, g, gj, v):

zhbart, zhbëj, zhbiroj, zhbllokoj, zhdëmtoj, zhdoganoj, zhdredh, zhduk, zhgënjej, zhvat, zhvendos, zhvilloj, zhvlerësim.

Shënim. Përemri ç tek të gjitha fjalët me pjesëmarrjen e tij, shkruhet kështu, pavarësisht nga bashkëtingëllorja që e pason :



çdo, çdokush, çdonjeri, çfarë, çfarëdo, çka, diçka, gjithçka.

c) me ç-, kur kjo ndiqet nga një zanore ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (l, ll, r, rr, m, n, nj, j):

çarmatos, çorganizoj, çorientoj, çlirim, çlodhem, çregjistroj, çrregulloj, çmallem, çmendem, çmos, çnderoj, çnjerëzor, çjerr etj. 

Shënim. Shkruhen me sh- fjalët: shmang, shndërroj, shndrit dhe ato që formohen prej tyre.

No comments:

Post a Comment